Barcelona ka siguruar matematikisht titullin kampion në La Liga, duke mposhtur Real Madrid në një El Clásico ku skuadra e Hansi Flick tregoi më shumë forcë, ide dhe dëshirë për ta mbyllur kampionatin në mënyrën më të bukur të mundshme.
Dy gola të shpejtë në pjesën e parë vendosën fatin e ndeshjes dhe ndezën festën blaugrana. Fillimisht ishte Rashford që zhbllokoi sfidën me një goditje dënimi, ndërsa pak më vonë Ferran Torres dyfishoi rezultatin pas një asisti të bukur nga Dani Olmo.
Real Madrid nuk dha përshtypjen se ishte në gjendje të luftonte realisht për titullin. Skuadra e Arbeloa erdhi në ndeshje me mungesa të rëndësishme, përfshirë Valverde, Huijsen dhe Mbappé, i cili u tërhoq në momentet e fundit për shkak të shqetësimeve fizike gjatë nxehjes.
Barcelona ishte superiore në lojë dhe në mentalitet, ndërsa Real Madrid u mbajt në shumë momente nga pritjet e Courtois, që shmangu një humbje edhe më të thellë. Madrilenët patën disa mundësi për t’u rikthyer në lojë, por nuk arritën të përfitonin nga rastet e krijuara.
Në pjesën e dytë, ndeshja u tensionua pas një episodi në zonë, ku Bellingham u godit në fytyrë nga Eric Garcia. Real Madrid kërkoi penallti, por arbitri Hernández Hernández dhe VAR nuk ndërhynë, duke shtuar polemikat në një ndeshje tashmë të vështirë për madrilenët.
Ky rezultat i jep Barcelonës një titull me peshë historike, pasi kampionati u vendos matematikisht pikërisht në përballjen direkte ndaj rivalit të madh. Për Real Madrid, humbja në El Clásico konfirmon krizën e thellë të sezonit dhe hap rrugën për një verë me shumë ndryshime në klub.











