Qytetarët e Orikumit kanë dalë në protestë pasditen e kësaj të hëne, duke kërkuar rikthimin e Orikumit në statusin e bashkisë, një status që e kishte përpara reformës administrativo-territoriale të vitit 2014.
Protestuesit kundërshtojnë ndarjen aktuale administrative, sipas së cilës Orikumi është njësi administrative në varësi të Bashkisë Vlorë. Ata kërkojnë që zona të rikthehet si njësi e pavarur e vetëqeverisjes vendore dhe të ketë sërish statusin e bashkisë.
Protesta vjen në një kohë kur mazhoranca socialiste ka propozuar reduktimin e numrit të bashkive në vend, nga 61 në 46. Sipas propozimit, 15 bashki do të humbnin statusin e njësive të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe do të bashkoheshin me bashkitë më të mëdha fqinje brenda qarqeve përkatëse.
Në këtë kuadër, Fushë-Arrëzi propozohet të bashkohet me Pukën, Klosi me Matin, Rrogozhina me Kavajën, ndërsa Dimal dhe Poliçan me Beratin. Po ashtu, Patosi do të bashkohej me Fierin, Divjaka me Lushnjën dhe Selenica me Vlorën.
Lista vijon me Maliqin, që do të bashkohej me Korçën, Këlcyrën me Përmetin, Memaliajn me Tepelenën dhe Libohovën me Gjirokastrën. Ndërkohë, Cërriku dhe Belshi propozohet të kalojnë nën administrimin e Bashkisë Elbasan, ndërsa Përrenjasi nën varësinë e Bashkisë Librazhd.











