Lamine Yamal është kthyer në qendër të analizave pas një jave të vështirë, që nisi me El Clásicon dhe përfundoi me zhgënjimin në garën për Topin e Artë.
Sipas një analize të AS, talenti i jashtëzakonshëm i yllit të Barcelonës nuk vihet në diskutim, por mënyra se si është menaxhuar imazhi i tij publik mund të ketë ndikuar në perceptimin e votuesve.
AS thekson se strategjia e Yamal për ta paraqitur veten si një prej më të mirëve në botë ishte po aq e guximshme sa ajo e Mbappé, por rezultati ishte shumë i ndryshëm. Francezi përfundoi vetëm 28 pikë pas Harry Kane, ndërsa Yamal ishte më larg dy kandidatëve kryesorë dhe pati Rodrin më pranë në renditje.
Sipas gazetës spanjolle, personaliteti i drejtpërdrejtë dhe shpesh provokues i Lamine Yamal funksionon shumë mirë te publiku i ri, por jo domosdoshmërisht te brezat më të mëdhenj, ku bëjnë pjesë edhe shumë prej votuesve të Topit të Artë.
Analiza kritikon gjithashtu mënyrën se si Barcelona dhe agjenti Jorge Mendes kanë menaxhuar këtë aspekt.
Sipas AS, të dyja palët kanë tentuar ta ndërtojnë figurën e Yamal si ikonën e re të futbollit botëror, por nuk kanë arritur ta neutralizojnë plotësisht ndikimin negativ që disa sjellje të tij mund të krijojnë në opinionin publik.
Gazeta bën krahasimin edhe me Lionel Messin, duke argumentuar se një profil më neutral dhe më i rezervuar mund të kishte qenë më efikas në një garë ku nuk mjaftojnë vetëm golat, asistimet dhe trofetë.
Për AS, Topi i Artë nuk fitohet vetëm me atë që ndodh në fushë, por edhe me mënyrën se si një futbollist ndërton imazhin e tij gjatë viteve.
Dhe pikërisht aty, sipas analizës, Lamine Yamal ka ende punë për të bërë.











