Anëtari i Këshillit Bashkiak socialist të Patosit Armand Ahmeti ka dalë publikisht kundër propozimit të Reformës Territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti thekson se qëndrimi i tij vjen pas shqetësimeve dhe reagimeve të shumta të qytetarëve, si edhe konsultimeve të zhvilluara me anëtarët e Këshillit Bashkiak.
Sipas tij, propozimi për shkrirjen e Bashkisë Patos nuk pasqyron interesin më të mirë të banorëve dhe nuk duhet të ecë përpara pa një proces të plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin vendor. Në deklaratën e tij ai shprehet se do të mbështesë çdo nismë institucionale dhe ligjore që synon ruajtjen e Bashkisë Patos si njësi më vete e vetëqeverisjes vendore.
Duke marrë në konsideratë shqetësimin dhe reagimet e shumta të qytetarëve të Bashkisë Patos, të cilët kanë shprehur qartë kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të Komisionit për Reformën Territoriale për shkrirjen e Bashkisë Patos, si dhe pas takimeve e konsultimeve të zhvilluara me anëtarët e Këshillit Bashkiak ,dëshiroj të shpreh qëndrimin tim të qartë në mbështetje të vullnetit të komunitetit që përfaqësojmë.
Në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Patosit vlerësoj se ky propozim nuk pasqyron interesin më të mirë të qytetarëve dhe nuk duhet të ecë përpara pa një proces të plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin vendor.
Si përfaqësues i zgjedhur nga qytetarët, e konsideroj detyrim institucional dhe moral të mbroj interesat e Bashkisë Patos, identitetin e saj administrativ, historik dhe shoqëror, si dhe të drejtën e banorëve për t’u dëgjuar në çdo vendimmarrje që prek të ardhmen e tyre. I siguroj të gjithë qytetarët se zëri, mendimi dhe vullneti i tyre do të jenë zëri, mendimi dhe qëndrimi im. Në përmbushje të mandatit që kam marrë prej tyre, do të mbështes çdo nismë institucionale e ligjore që mbron vazhdimësinë e Bashkisë Patos si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore.
Ftoj të gjitha institucionet përgjegjëse që, përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare, të dëgjojnë dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Patosit, pasi çdo reformë territoriale duhet të ndërtohet mbi parimet e demokracisë vendore, transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut.











