Sipas Gazzetta dello Sport, Alisson mund të kthehet në një objektiv konkret për Juventusin në prag të një revolucioni të mundshëm në portë. Në Torino po zhvillohen analiza të thella për të ndërtuar një cikël të ri më të qëndrueshëm, ndërsa drejtuesit e klubit duket se janë gati të ndryshojnë gjithçka edhe në repartin e portierit.
Di Gregorio nuk ka bindur plotësisht, ndërsa Perin ka lënë të kuptohet në disa raste se dëshiron të largohet për të luajtur më shumë. Për këtë arsye, Juventusi është në kërkim të një zgjidhjeje sa më të sigurt dhe me eksperiencë të lartë, dhe emri i Alisson po fiton terren gjithnjë e më shumë.
Një rol kyç në këtë pistë mund të luajë Luciano Spalletti, i cili e njeh shumë mirë portierin brazilian nga koha te Roma. Vlerësimi i madh i trajnerit për Alisson dhe eksperienca ndërkombëtare e gardianit të Liverpool krijojnë kushtet ideale që Juventusi ta konsiderojë seriozisht këtë investim.
Alisson ka kontratë me Liverpool deri në vitin 2027, ndaj nuk bëhet fjalë për një largim të detyruar, por situata mund të ndryshojë nëse anglezët hapin derën për negociata. Nga ana tjetër, Juventusi besohet se është gati të bëjë një sakrificë ekonomike për të siguruar një portier të nivelit të lartë.
Paga e brazilianit, rreth 6 milionë euro, konsiderohet e përballueshme për klubin bardhezi. I vetmi kufi që Juventusi synon të respektojë është tavani salarial prej 7 milionë eurosh, që lidhet me kontratën e Yildiz. Nëse Spalletti arrin ta bindë Alisson dhe Liverpool pranon të negociojë, atëherë operacioni mund të marrë shpejt formë.
Në Continassa po punohet për të ndërtuar një epokë të re, dhe duket se ndryshimi mund të nisë pikërisht nga porta.











