Kylian Mbappe mbetet një nga futbollistët më të talentuar dhe më vendimtarë në botë, por te Real Madrid ende pritet momenti kur ai të bëhet figura absolute që shumëkush kishte imagjinuar në momentin e transferimit të tij.
Ardhja e sulmuesit francez në Madrid u pa si një bashkim mes klubit më të suksesshëm në Evropë dhe një prej lojtarëve më shpërthyes të brezit të tij. Dukej si një formulë perfekte për të forcuar edhe më shumë dominimin e Real Madrid në Champions League. Megjithatë, deri tani, realiteti ka qenë më kompleks.
Pas largimit të Mbappes, PSG arriti të fitojë Champions League jo me lojtarin më të mirë, por me skuadrën më të mirë. Në të njëjtën kohë, te Real Madrid, edhe pse francezi ka shfaqur cilësinë e tij, ende nuk është parë ai version dominues dhe i qëndrueshëm që pritej prej tij.
Në sezonin e tij të parë me madrilenët, Mbappe fitoi Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube. Ndërsa në këtë edicion, nëse Barcelona nuk gabon në La Liga, atëherë Champions League mbetet objektivi i vetëm madhor për Real Madrid.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendje është fakti se gjatë mungesës së tij për shkak dëmtimi, Real Madrid ka dhënë sinjale pozitive. Me katër mesfushorë dhe me Vinicius e Brahim në sulm, skuadra është dukur më e ekuilibruar dhe më solide, duke kaluar me autoritet Manchester City në të tetat e Champions. Kjo ka rihapur diskutimin mbi rolin real të Mbappes në ekuilibrat e skuadrës.
Deri tani, ai dhe Vinicius nuk kanë arritur të krijojnë një lidhje të vazhdueshme dhe plotësisht funksionale në fushë. Ka pasur momente të mira nga të dy, por jo një periudhë të gjatë ku të duken vërtet si një dyshe e frikshme dhe konstante.
Sa i përket asaj që Mbappe duhet të përmirësojë, vëmendja përqendrohet në tre pika kryesore. E para, ai duhet të kërkojë më shumë topin në hapësirë, aty ku është më i rrezikshëm dhe ku shpejtësia e tij bëhet thuajse e papërballueshme. E dyta, duhet të japë më shumë dhe më mirë në fazën mbrojtëse, jo vetëm në sasi, por edhe në disiplinë taktike. E treta, duhet të rikthejë saktësinë përpara portës, pasi aktualisht po kalon një moment jo ideal në finalizim.
Megjithatë, askush nuk mund të thotë se Mbappe nuk është lojtar për Real Madrid. Statistikat e tij mbeten të rëndësishme, me 39 gola dhe 6 asistime në të gjitha kompeticionet deri tani këtë sezon. Edhe në Champions League, pavarësisht luhatjeve, ai ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë një asist.
Pikërisht për këtë arsye, pritshmëritë ndaj tij janë kaq të larta. Kur bëhet fjalë për lojtarë të këtij niveli, standardi është gjithmonë maksimal. Dhe te Real Madrid, të gjithë presin që momenti i Mbappes të vijë pikërisht në natën më të rëndësishme.
“Allianz Arena” mund të jetë skena perfekte që francezi të tregojë më në fund versionin e tij më të mirë.











