Sipas “Sky Sports”, mbrojtësi i Crystal Palace, Marc Guehi, po pret një lëvizje nga Real Madridi përpara se të pranojë ofertat e tjera që ka në tavolinë nga Liverpool, Barcelona apo Bayern Munich.
25-vjeçari është një nga mbrojtësit më të kërkuar në Evropë. Kontrata e tij me “Eagles” skadon në vitin 2026 dhe gjatë ditës së fundit të merkatos së verës, ai ishte vetëm disa minuta larg kalimit te Liverpool për 35 milionë paund. Megjithatë, transferimi dështoi dhe lojtari mbeti në “Selhurst Park”.
Aktualisht, Guehi shihet si një nga “bargain players” të tregut, dhe Liverpool ka nisur tashmë kontaktet për ta siguruar si lojtar të lirë në vitin 2026, ashtu si edhe Barcelona. Por sipas burimeve të “Sky Sports”, anglezi po pret të shohë nëse Real Madrid do të ndërhyjë, pasi ai e konsideron kalimin në “Santiago Bernabeu” si prioritet absolut.
Në garë është futur së fundmi edhe Bayern Munich, pasi drejtori sportiv i klubit bavarez, Max Eberl, ka shprehur hapur interesin për mbrojtësin e Crystal Palace.









