Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Italinë jugore, ku një grua 25-vjeçare është arrestuar në Reggio Calabria me akuzën e vrasjes së dy fëmijëve të saj binjakë menjëherë pas lindjes. Ngjarja ka ndodhur gjatë muajit korrik të vitit 2024, por hetimet janë përfunduar vetëm tani.
Sipas prokurorisë, e reja dyshohet se ka mbytur foshnjat dhe më pas ka fshehur trupat e tyre në dollapin e dhomës, të mbështjellë me një batanije. Tragedia është zbuluar nga nëna e saj, e cila ndjeu një erë të rëndë që vinte nga dhoma e vajzës. Hetimet kanë nxjerrë në pah se i fejuari i saj, babai i fëmijëve, dyshohet si bashkëpunëtor në krim. Provat për këtë dyshim janë mesazhet e shkëmbyera mes çiftit, ku flitej për mënyrat e fshehjes së trupave, duke i hapur rrugë akuzës ndaj tij për bashkëpunim në vrasje.
Për më tepër, hetuesit kanë zbuluar mundësinë e një krimi tjetër, duke dyshuar se çifti mund të ketë vrarë një foshnjë të tretë në vitin 2022, e cila besohet të jetë varrosur në një tokë që i përkiste familjes së vajzës. Aktualisht, policia dhe karabinierët janë angazhuar në kërkimin e trupit të kësaj foshnjeje.
E reja kishte pasur nevojë për shtrim në spital në Reggio Calabria për shkak të gjakderdhjes së rëndë, pak para zbardhjes së tragjedisë nga nëna e saj. Ajo kishte mohuar gjithmonë se ishte shtatzënë ose se kishte lindur.
Ngjarja ka shkaktuar një intensifikim të diskutimeve dhe reagimeve në publik, duke tronditur fort shoqërinë italiane. Autoritetet vazhdojnë të hetojnë për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje makabre që ka mbërthyer vëmendjen e opinionit publik. Hetimi këtë moment përqendrohet në të gjitha detajet e mundshme që lidhen me tragjedinë, duke kërkuar ndriçimin e plotë të situatës përmes çdo prove të re./Top Channel











