“Fiks Fare” ka bërë një investigim mbi ndikimin e Belinda Ballukut në institucionet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse ajo është shkarkuar zyrtarisht nga detyra.
Në dokumente, ministria ka një drejtues të ri, por në disa institucione në varësi të saj, drejtuesit vazhdojnë ta referojnë Ballukun si “shefe” dhe flasin për ndikimin e saj në emërime e punësime.
Në Autoritetin e Aviacionit Civil, drejtori Maksim Et’hemaj e lidh një vend pune me një emër të propozuar nga Balluku. Në ISHTI, drejtori Sokol Zajmi shprehet: “Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja”, ndërsa përdor edhe shprehjen: “Ushtarët zëvendësohen kollaj, po mbretëresha nuk zëvendësohet dot.”
Në një tjetër institucion, drejtori Rrapush Tola pretendon se Balluku ka vendosur Enea Karakaçin në krye të ministrisë dhe se një sinjal prej saj mund të ndikojë në punësime.
“Fiksi” kontakton edhe ish-këshilltarin e Ballukut, Flor Serjanin, i cili vijon të punojë në ministri dhe thotë se merret edhe me PR-in e saj. Ai flet për ndikimin e Ballukut në emërimin e drejtuesve të agjencive.
Në fund, “Fiks Fare” përballet me Ballukun, e cila nuk i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes pse disa drejtues vazhdojnë ta konsiderojnë “shefe”, por akuzon gazetarët për gjobëvënie.
Investigimi ngre pyetjen: A është Belinda Balluku ish-ministre vetëm në dokumente, ndërsa në praktikë vazhdon të ketë ndikim në institucionet që dikur drejtonte?











