Real Madrid po përgatitet për një merkato aktive këtë verë, duke parë problemet e shumta me të cilat është hasur gjatë këtij sezoni. Qendra e mbrojtjes është bërë thembra e Akilit për madrilenët, e prekur nga një sërë lëndimesh dhe pengesash fizike që e kanë lënë ekipin me burime shumë të kufizuara në këtë repart.
Mungesa e zgjatur e Eder Militao-s, i cili nuk ka qenë në gjendje të luajë për shkak të një dëmtimi të rëndë, ka qenë një nga goditjet më të mëdha për Ancelotti-n. Po ashtu situata aspak e mirë me David Alaba, i cili ka qenë i dëmtuar vazhdimisht këtë sezon, por edhe atëherë kur ka lujatur, ka qenë nën pritshmëritë.
Antonio Rüdiger, nga ana e tij, është dashur të dyfishojë përpjekjet për të mbajtur mbrojtjen të fortë, megjithëse performancat e tij nuk kanë qenë plotësisht të qëndrueshme. Gjermani ka alternuar midis performancave të forta dhe atyre më pak bindëse, gjë që ka rritur urgjencën për të pasur lojtarë më të besueshëm.
Përgjegjësia ka rënë mbi Raal Asencio, i vetmi qendërmbrojtës që nuk ka pësuar lëndime dhe ka bërë paraqitje shumë të mira këtë sezon, por ende i mungon përvoja për t’u bërë lider në qendrën e mbrojtjes. Të vetëdijshëm se nuk mund të përballojnë një tjetër sezon me kaq shumë ulje-ngritje në mbrojtje, drejtuesit e Realit po ndjekin disa emra për të provuar transferimin e tyre në verë. Dy emrat më të përfolur deri tani janë William Saliba dhe Dean Hujisen.