Eliminimi në “play off”-in e Ligës së Kampioneve ka qenë ndoshta pika e fundit që ka bërë që Milani të shpërthejë, i gatshëm të përjetojë një tjetër verë revolucionare. Pavarësisht ardhjes së Sergio Conceicao në pankinë, cikli kuqezi duket se ka arritur një pikë kthese dhe shumë nga protagonistët e tij të mëparshëm mund të largohen nga Milanello për t’ua lënë vendin forcave të reja si Santiago Gimenez ose Joao Felix, të ardhur në merkaton e dimrit.
I pari në listën e largimeve të Zlatan Ibrahimovic dhe Geoffrey Moncada është padyshim Theo Hernandez, fajtor për kartonin e kuq kundër Feyenoord-it, çka solli eliminimin e Milanit. Ky është vetëm episodi i fundit i një serie të gjatë që ka bërë që drejtuesit kuqezinj ta humbasin durimin, duke e shtyrë francezin drejt një largimi pothuajse të sigurt në qershor.
Kërkim-faljet publike dhe mbështetja e Conceicao nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta qetësuar situatën e Theo Hernandez. Sipas “Gazzetta dello Sport”, emrat më të mundshëm për ta zëvendësuar janë Nuno Tavares i Lazios dhe Maxim De Cuyper i Club Brugge. Në rastin e parë, bardhekaltrit duhet ta blejnë përfundimisht nga Arsenali për 5 milionë euro, plus 4 milionë bonuse, ndërsa kërkesa e Claudio Lotito është 25 milionë euro. Sa i përket De Cuyper, begët kërkojnë rreth 20 milionë euro, por çmimi mund të rritet nëse Club Brugge ecën më tej në Champions League.
Një tjetër kandidat për t’u larguar është Rafael Leao, ndoshta ndër më të mirët në fushë kundër Feyenoord-it, por shumë i paqëndrueshëm për tifozët dhe klubin. Kontrata e tij është e vlefshme deri më 2028, me një klauzolë prej 175 milionë eurosh, por si ai, ashtu edhe Milani e dinë që vlera reale është shumë më e ulët. Në janar kishte një interes të lehtë nga Arabia Saudite me Al Nassr, por pa një ofertë konkrete. Në fund të sezonit, situata mund të ndryshojë. Nëse vjen një ofertë rreth 80 milionë euro, Milani do ta konsideronte largimin e tij. Barcelona gjithashtu mund të jetë në garë për të.
Edhe Ruben Loftus-Cheek dhe Samuel Chukwueze mund të largohen pas vetëm një sezoni. Të dy mbërritën në verën e vitit 2023 së bashku me Noah Okafor, por ndërsa zvicerani tashmë është larguar, duket se edhe anglezi dhe nigeriani do të ndjekin të njëjtën rrugë. Loftus-Cheek ka munguar prej muajsh për shkak të një dëmtimi, ndërsa Chukwueze nuk i ka përmbushur pritshmëritë as si titullar dhe as si zëvendësues.
Në mbrojtje, Fikayo Tomori dhe Malick Thiaw janë gjithashtu në dyshim. Me largimin e Davide Calabria, Milani po planifikon një revolucion të madh në repartin mbrojtës. Në janar, klubi ishte afër shitjes së Strahinja Pavlović, por serbi u bë një titullar i rëndësishëm për Conceicao, duke lënë Tomorin në hije.
Nëse vjen një ofertë rreth 25 milionë euro nga Premier League, anglezi mund të largohet. Ai ka refuzuar Juventusin dhe Tottenhamin në dimër, por situata mund të ndryshojë në verë. Thiaw, nga ana tjetër, po kalon një moment të mirë dhe Milani mund të kërkojë një shumë më të lartë për të, duke pasur parasysh interesimin nga klubet angleze dhe gjermane.
Një tjetër çështje është ajo e Emerson Royal, i cili është tashmë jashtë planeve të Milanit. Braziliani, që ishte menduar si përforcim për krahun e djathtë, është kthyer në një lojtar krejtësisht i panevojshëm. Ardhja e Kyle Walker e ka bërë të qartë se ai nuk është më pjesë e projektit kuqezi. Huazimi i tij te Galatasaray në janar ishte një dëshmi e kësaj. Për më tepër, dëmtimi i rëndë që pësoi në Champions League i ka prishur planet e Milanit, por klubi është i vendosur të mos e mbajë.
Përveç këtyre lëvizjeve, Milani duhet të vendosë edhe për lojtarët e huazuar. Alexis Saelemaekers mund të qëndrojë te Roma edhe për një vit tjetër, ndërsa Tammy Abraham, i cili nuk ka qenë mjaftueshëm vendimtar, mund të kthehet te Chelsea. Pierre Kalulu gjithashtu mund të kthehet nga huazimi te Juventusi për të ndihmuar në rindërtimin e mbrojtjes kuqezi.
Mbetet për t’u parë edhe e ardhmja e Joao Felix, i huazuar deri në fund të sezonit. Conceicao i ka dhënë shumë besim portugezit, duke e aktivizuar titullar në të dyja sfidat ndaj Feyenoordit. Chelsea mund të përpiqet ta rikthejë në verë, por marrëdhëniet e mira mes Gerry Cardinale dhe agjentit të tij Jorge Mendes mund të ndihmojnë në zgjatjen e huazimit deri më 2026, me mundësinë e një transferimi përfundimtar.