Komiteti Teknik i Arbitrave në Spanjë ka njoftuar se programi “Review Time” do të përdorë Inteligjencën Artificiale për të përzgjedhur episodet më të diskutueshme të çdo jave.
Deri tani, rastet zgjidheshin nga një komision me ish-lojtarë dhe trajnerë, ndërsa tashmë kjo detyrë do t’i kalojë një sistemi të AI të përdorur nga La Liga.
Programi do të vazhdojë të analizojë vendimet më të debatueshme të arbitrave, duke shpjeguar nëse gjyqtari ka vepruar drejt apo ka gabuar.
Sipas CTA-së, përdorimi i Inteligjencës Artificiale synon të sjellë më shumë objektivitet, transparencë dhe gjurmueshmëri në përzgjedhjen e episodeve.
Gjithsesi, Komiteti Teknik i Arbitrave do të ketë të drejtën të shtojë edhe raste të tjera me interes të veçantë edukativ apo teknik.











