Konferenca e Kombeve të Bashkuara për klimën, COP31, përfundoi në Turqi pa një marrëveshje përfundimtare, pasi përplasjet mbi të ardhmen e karburanteve fosile bllokuan negociatat mes vendeve. Samiti në Antalia u zgjat pothuajse dy ditë përtej afatit zyrtar, duke u kthyer në konferencën më të gjatë klimatike të zhvilluar ndonjëherë, por delegacionet nuk arritën të gjenin konsensus për dokumentin kryesor.
Përplasja më e fortë ishte mes vendeve që kërkonin një angazhim të qartë për largimin nga nafta, gazi dhe qymyri, dhe shteteve që kundërshtonin përfshirjen e këtij objektivi në marrëveshje. Bashkimi Europian, Britania e Madhe dhe disa shtete të tjera refuzuan draftin për shkak se ai nuk përmendte fare karburantet fosile, të cilat konsiderohen shkaktari kryesor i ndryshimeve klimatike. Ndërkohë, vendet prodhuese të naftës kundërshtuan një formulim që do të përcaktonte një rrugë të qartë drejt braktisjes së tyre.
Dështimi i negociatave ka rikthyer shqetësimet për efektivitetin e diplomacisë klimatike, në një kohë kur temperaturat globale, zjarret, përmbytjet dhe fenomenet ekstreme po intensifikohen. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu zhgënjimin e thellë për mungesën e një marrëveshjeje, ndërsa shumë vende në zhvillim kërkonin gjithashtu më shumë financime për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike. Edhe pse samiti përfundoi pa një pakt të përbashkët, angazhimet e mëparshme klimatike mbeten në fuqi, ndërsa negociatat për çështjet e pazgjidhura pritet të vazhdojnë në konferencën e ardhshme.











