Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është shprehur e tronditur nga vdekja e Gianni De Gennaro, ish-kreut të policisë italiane, trupi i të cilit u gjet të shtunën në banesën e tij në Toskanë. 78-vjeçari ishte nën hetim për dyshime mbi pengimin e hetimeve për një atentat mafioz të vitit 1992 në Palermo. Autoritetet po hetojnë rrethanat e vdekjes së tij, e cila dyshohet të jetë vetëvrasje.
De Gennaro ishte thirrur të dëshmonte muajin e ardhshëm për atentatin ku u vra gjykatësi antimafia Paolo Borsellino dhe pesë efektivë policie. Prokurorët dyshonin se ai kishte ndërhyrë për të penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes, akuza të cilat ish-zyrtari i kishte mohuar kategorikisht. Për të ishte kërkuar edhe masa e arrestit shtëpiak, por kërkesa ishte rrëzuar nga gjykata.
Gjatë karrierës së tij, De Gennaro ishte një prej figurave më të rëndësishme të luftës kundër mafias në Itali. Ai drejtoi policinë kombëtare për shtatë vite, nga 2000 deri në 2007, dhe mbajti më pas poste të rëndësishme në strukturat e inteligjencës dhe institucione të tjera shtetërore. Vdekja e tij ka rikthyer vëmendjen te një prej dosjeve më të ndërlikuara të historisë së luftës kundër mafias italiane.











