Me emocione të forta, lot dhe përqafime është përcjellë Jakup Krasniqi nga familjarët e tij, në përfundim të vizitës katërditore humanitare në Kosovë. I shoqëruar nga forca të shumta të EULEX-it, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës është larguar këtë të shtunë nga banesa e tij për t’u kthyer në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Të afërmit e tij kanë dalë për ta përcjellë, ndërsa disa prej tyre e kanë ndjekur largimin nga ballkonet e banesave përreth, duke e duartrokitur në momentet e fundit para ndarjes. Pamjet e largimit pasqyrojnë emocionet e familjes, që e priti Krasniqin për katër ditë.
Vizita humanitare iu lejua për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij. Pas qëndrimit pranë familjes, ai duhet të rikthehet në Hagë, ku mbahet në paraburgim në kuadër të procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë pati edhe reagime lidhur me sjelljen e forcave shoqëruese, pas pretendimeve se një pjesëtar i EULEX-it i kishte drejtuar armën një familjari të Krasniqit. Misioni europian e mohoi këtë pretendim.
Kujtojmë se më 16 shtator, Krasniqi u dënua në shkallë të parë me 25 vite burgim për krime lufte.










