Donald Trump ka paralajmëruar se kompanitë amerikane të teknologjisë që ndërtojnë qendra të të dhënave për inteligjencën artificiale jashtë Shteteve të Bashkuara do të përballen me një “taksë të jashtëzakonshme”. Presidenti nuk dha detaje se si do të funksionojë masa, por tha se Uashingtoni nuk do të lejojë që kompanitë të zhvendosin investimet e tyre në vende të tjera, duke këmbëngulur se infrastruktura e AI-së duhet të ndërtohet brenda territorit amerikan.
Trump u kërkoi komuniteteve amerikane të përfitojnë nga ndërtimi i këtyre qendrave, duke negociuar investime, pagesa dhe përfitime ekonomike nga kompanitë që kërkojnë të vendosen në zonat e tyre. Deklarata vjen në një kohë kur qendrat e të dhënave po përballen me kundërshtime për konsumin e madh të energjisë, ujit, ndikimin në mjedis dhe kostot që mund t’u kalojnë banorëve.
Megjithatë, kërcënimi i taksave mund të krijojë probleme edhe për vetë kompanitë amerikane, të cilat ndërtojnë qendra të të dhënave në vende të tjera për të qenë më pranë përdoruesve, për të ulur vonesat në përpunimin e informacionit dhe për të përfituar nga infrastruktura lokale. Një kufizim i tillë mund të ndikojë në zgjerimin global të inteligjencës artificiale dhe të rrisë kostot e zhvillimit të teknologjisë.











