Dalja e shumëpritur e videolojës Grand Theft Auto 6 ka bërë që disa departamente policie në Shtetet e Bashkuara t’u drejtohen lojtarëve me një paralajmërim të pazakontë: krimet që kryhen në lojë nuk duhet të kopjohen në jetën reale. Përmes postimeve në rrjetet sociale, policia u kujton fansave se vjedhja e makinave, drejtimi i rrezikshëm, dhuna dhe shkeljet e tjera nuk janë lojë kur ndodhin në rrugët e vërteta.
Policia e Atlantës u bë një nga institucionet që reagoi, duke shkruar se GTA nuk është një vend real, ndërsa Atlanta është. Mesazhi u shoqërua me një apel që lojtarët të mos ngatërrojnë argëtimin virtual me vendimet në jetën reale. Edhe departamente të tjera, përfshirë ato në Teksas, publikuan video dhe mesazhe ironike, duke u kujtuar fansave se policët nuk janë personazhe të lojës dhe se në realitet nuk ekziston mundësia për të rifilluar gjithçka pas një krimi.
Paralajmërimet janë kthyer në një fenomen viral, me vetë policinë që përdor humorin dhe referencat e lojës për të tërhequr vëmendjen e publikut. Disa prej postimeve janë shpërndarë gjerësisht, ndërsa përdoruesit kanë reaguar me batuta për faktin se policët po promovojnë indirekt një prej lojërave më të mëdha të vitit. Mesazhi i autoriteteve është i qartë: eksploroni botën e Vice City, por lëreni krimin vetëm brenda ekranit.











