Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal pas një kallëzimi të depozituar ndaj deputetes socialiste Elisa Spiropali, ku ngrihen pretendime për disa vepra penale.
Bëhet fjalë për dyshime lidhur me veprat penale të “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe “Korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Në kallëzim kërkohet gjithashtu hetimi për çdo vepër tjetër penale që mund të zbulohet gjatë procesit hetimor.
Sipas informacioneve, regjistrimi i procedimit është bërë së fundmi dhe organi i akuzës ka nisur veprimet paraprake për verifikimin e fakteve dhe rrethanave të paraqitura në kallëzim.
Materiali kallëzues thuhet se mbështetet në një sërë të dhënash dhe dokumentesh, ku përfshihen deklarimet e pasurisë, dokumentacioni i shoqërive tregtare, ndryshimet e pronësisë, transaksionet financiare, të ardhurat, si dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme.
Në dokumentin e kallëzimit përmenden gjithsej pesë persona. Krahas Elisa Spiropalit, në listë figuron edhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj, si dhe tre persona të tjerë, emrat e të cilëve janë përfshirë në materialin e depozituar pranë SPAK.











