Klubet e Premier League kanë votuar për të mbuluar shpenzimet ligjore të pesë drejtuesve të ligës në rast se sponsorët e Manchester City vendosin t’i padisin.
Vendimi u mor në takimin e zhvilluar në Londër, pas një periudhe të tensionuar mes Manchester City dhe drejtuesve të Premier League.
Sipas BBC Sport, 18 klube votuan në favor të ndryshimit, ndërsa Manchester City ishte një nga vetëm dy klubet që votuan kundër.
Rregullat aktuale parashikonin mbulim financiar për drejtuesit vetëm nëse ata fitonin një proces gjyqësor. Me ndryshimin e ri, CEO Richard Masters, presidentja Alison Brittain dhe tre drejtorë të tjerë joekzekutivë do të kenë mbrojtje ligjore edhe gjatë zhvillimit të proceseve.
Vendimi lidhet me mundësinë që sponsorët e Manchester City, Etihad Airways dhe Etisalat, të ndërmarrin veprime ligjore kundër Premier League.
Një komision i pavarur i emëruar nga liga e shpalli Cityn fajtor për një seri shkeljesh të rregullave financiare, mes tyre pretendimin se të ardhurat e klubit ishin fryrë artificialisht me më shumë se 830 milionë paund gjatë një periudhe nëntëvjeçare.
Manchester City e ka apeluar vendimin dhe masa përfundimtare ndaj klubit ende nuk është përcaktuar.
Etihad Airways ka kundërshtuar publikisht përfundimet e komisionit, duke mohuar se ka qenë pjesë e marrëveshjeve të parregullta komerciale. Edhe Etisalat ka sinjalizuar se po shqyrton hapa ligjorë dhe e ka cilësuar vendimin e Premier League si të pavërtetë dhe dëmtues për reputacionin e kompanisë.
Çështja mbetet e hapur, ndërsa Premier League po përgatitet edhe për një tjetër betejë të mundshme ligjore jashtë procesit kryesor me Manchester City.











