Armëpushimi në Rripin e Gazës rrezikon të shembet nëse Izraeli dhe Hamasi nuk përmbushin angazhimet e marra në marrëveshje. Paralajmërimi vjen nga Bordi i Paqes, i cili në raportin e tij të parë drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vlerëson se hendeku mes marrëveshjes dhe realitetit në terren po pengon përparimin e procesit.
Sipas raportit, sulmet izraelite vazhdojnë, ndërsa aktiviteti ushtarak i Hamasit dhe pengesat në dërgimin e ndihmave humanitare po e vështirësojnë zbatimin e marrëveshjes. Administrata e përkohshme teknokratike palestineze nuk ka mundur ende të nisë punën, ndërsa kjo vonesë ka penguar edhe krijimin e një force ndërkombëtare stabilizimi. Kjo forcë është parashikuar të luajë rol në tërheqjen e trupave izraelite, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e territorit.
Bordi i Paqes u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të ushtrojnë presion mbi të dyja palët për të zbatuar detyrimet e tyre. Raporti paralajmëron se një armëpushim që nuk sjell përmirësime të dukshme për popullsinë nuk mund të zgjasë. Ndërkohë, mijëra familje palestineze përballen me një tjetër dimër në tenda dhe mes rrënojave, në kushte të vështira humanitare.











