Real Madrid vazhdon rritjen financiare dhe këtë sezon synon të afrohet me shifrën rekord prej 1.4 miliardë eurosh të ardhura.
Pas 1.221 miliardë eurove të regjistruara në sezonin 2025-26, klubi madrilen pret ta kalojë sërish rekordin, i ndihmuar kryesisht nga të ardhurat e stadiumit “Santiago Bernabéu”, sponsorët dhe shitjet e lojtarëve të akademisë.
Vetëm aktivitetet komerciale të lidhura me stadiumin pritet të sjellin rreth 420 milionë euro, ndërsa investimi total për rinovimin e Bernabéut ka arritur në rreth 1.4 miliardë euro.
Edhe sponsorët po luajnë një rol të madh. Të ardhurat nga kjo pjesë pritet të rriten me 22%, falë marrëveshjeve me Adidas dhe Emirates, si dhe bashkëpunimeve të reja me Hotels.com dhe Uber Eats.
Një tjetër burim i rëndësishëm është Valdebebas. Shitjet e lojtarëve të dalë nga akademia, mes tyre Gonzalo García, César Palacios, Nico Paz, Jacobo Ortega dhe Víctor Muñoz, pritet t’i sjellin klubit rreth 154.8 milionë euro gjatë këtij viti financiar.
Nga ana tjetër, pagat dhe amortizimet arrijnë në rreth 700 milionë euro, por raporti i shpenzimeve të personelit ndaj të ardhurave mbetet në 46%, nën kufirin prej 70% të përcaktuar nga UEFA.
Real Madrid synon ta mbyllë vitin financiar me një fitim neto prej 14.2 milionë eurosh, duke konfirmuar fuqinë e tij jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin ekonomik.











