Policia britanike ka arrestuar një pjesëtar të ushtrisë amerikane, 41 vjeç, nën dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë. Arrestimi u krye të martën pranë qytetit të Gloucesterit, në Anglinë perëndimore, në kuadër të një hetimi të përbashkët të policisë kundër terrorizmit, autoriteteve amerikane, ushtrisë së SHBA-së dhe FBI-së.
Sipas Policisë Metropolitane të Londrës, ndaj tij rëndojnë dyshime për shkelje të dy neneve të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023, që lidhen me marrjen ose zbulimin e informacionit të mbrojtur dhe ndihmën ndaj një shërbimi të huaj inteligjence. Autoritetet konfirmuan se vendi me të cilin lidhen akuzat është Rusia. Në kuadër të hetimit, policia po kryen kontrolle në dy adresa në Gloucestershire.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi arrestimin si një çështje serioze spiunazhi që shqetëson Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Ndërsa gjeneral brigade Sean Stinchon, drejtues i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë amerikane, tha se rasti tregon rrezikun që paraqesin kërcënimet e brendshme nga persona që kanë akses në informacione të ndjeshme. I dyshuari ndodhet në paraburgim në një komisariat në Londër, ndërsa hetimet vijojnë.











