Një 39-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në mes të ditës në Spanjë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Playa Flamenca, në Orihuela Costa, në provincën e Alicante-s.
Sipas mediave spanjolle, atentatori ka mbërritur në vendngjarje me një skuter elektrik dhe i është afruar shqiptarit, duke e qëlluar disa herë radhazi. Pas të shtënave, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, pa u identifikuar ende.
Viktima ndodhej pranë një kompleksi sportiv në rrugën Nicolás de Bussi. Në vendngjarje mbërriti një ambulancë e shërbimit të urgjencës SAMU, por mjekët konstatuan se 39-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Hetimet për ngjarjen janë marrë në dorë nga Garda Civile spanjolle, e cila po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Deri në raportimet e fundit, nuk është bërë i ditur asnjë arrestim.
Trupi i viktimës pritet t’i nënshtrohet autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat dhe motivet e vrasjes.











