Të paktën 12 emigrantë janë gjetur të vdekur në një varkë pranë brigjeve jugore të Kretës, ndërsa 105 persona të tjerë janë shpëtuar gjatë tri operacioneve të veçanta në jug të ishullit. Sipas Rojës Bregdetare greke, trupat u zbuluan rreth 15 milje detare në juglindje të Kali Limenes, pasi një anije mallrash me flamur maroken sinjalizoi autoritetet për praninë e varkës.
Një anije e Rojës Bregdetare mori në bord 18 të mbijetuar dhe trupat e 12 viktimave, të cilët po transportoheshin drejt portit të Agia Galinit. Në dy operacionet e tjera, rreth 87 emigrantë u shpëtuan nga dy varka të tjera, me ndihmën e mjeteve të Frontex-it, përfshirë avionë dhe mjete pa pilot.
Rrethanat e vdekjes së 12 personave nuk janë bërë ende të qarta. Ngjarjet ndodhin në një periudhë kur është shtuar numri i kalimeve nga Afrika e Veriut drejt Kretës, një nga rrugët që përdorin emigrantët për të mbërritur në Evropë.











