Pavarësisht debateve në një seancë maratonë, PS e PD kanë bashkuar votat duke miratuar ndryshimet e reja në Kod Zgjedhor, që lehtësojnë votën e diasporës. Drafti i ndryshimeve u miratua me 108 vota pro dhe me pëlqimin e Presidentit Begaj, ndryshimet futen në fuqi menjëherë. Me 107 vota pro, miratohet shpërndarja e fondit 1.5 mln euro partive për 11 majin.
Çfarë ndodhi më parë
Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi duke folur për propozimin e PD-së për votimin e diasporës me kartë identiteti të vendit ku jetojnë e ‘quajti hile, për të hedhur në erë votën e diasporës.”
Një aventurë e rrezikshme që kërcon votën e emigrantëve, kështu e ka konsideruar deputeti i PS, Pandeli Majko, konsensusin e arritur mes PD e PS, për t’iu drejtuar komisionit rregullator të KQZ lidhur me votimin me pasaporta të huaja të shtetasve shqiptarë.
“Mua kjo më mban shumë erë, dhe më mban një erë që s’dua ti vë emrin. Do jetë një arsye që votimi për emigrantët të bllokohet do jetë e papërgjegjshme që ky propozim të shkojnë në komisionin rregullator të KQZ. Tejkaluam krizën në një sallë me 5 veta.
Shpresoj tek ndërgjegja kolektive e KQZ që të mos ndërmarrin hapin aventuresk, se me demek nuk u realizua kërkesa
Propozimi juaj mund ta shtyjë jo vetëm komisionin rregullator dhe integritetin e procesit zgjedhor në drejtim të paditur. Shpresoj që KQZ të mos jetë në nivelin të ndërmarrë aktin aventuresk e të bllokojë të drejtën e 100 mijë shtetasve” tha Majko
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se “lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PD mbështet ndryshime që nuk janë as të PD dhe as të PS, por të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, që lidhen me dy aspekte teknike të procesit për të garantuar votën e bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”.
Bardhi theksoi se cilido që ka një dokument biometrik identifikimi ka të drejtë të votojë dhe Kodi Zgjedhor nuk specifikon se dokumenti biometrik do të duhet të jetë shqiptar apo i SHBA-së. Ai deklaron se vota e shqiptarëve që kanë dokumente të vendit ku jetojnë nuk rrezikojnë zgjedhjet në Shqipëri.
“Zgjedhjet i dëmton përdorimi i administratës shtetërore në zgjedhje. Ti që drejtues politik i qarkut Dibër i ke dhënë urdhër çdo punonjësi të sjellë listë me 10 emra të votuesve jashtë vendit, sepse nëse nuk i sjell 10 emrat i rrezikohet vendi i punës dhe kjo e rrezikon integritetin e zgjedhjeve dhe jo vota e emigrantëve që nuk kanë dokument biometrik shqiptar, por kanë vendit ku jetojnë”, tha ai.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, falënderoi në kuvend 180 mijë bashkatdhetarët që kanë aplikuar dhe nxit ata të cilëve iu është refuzuar ta ribëjnë aplikimin në KQZ për të votuar më 11 maj.
Ai theksoi se diaspora do të na japë 84 mandate për të bërë reforma
Për ndryshimet që çlirojnë nga çdo kosto emigrantët të cilët do të marrin pjesë në zgjedhje, dhe afrimin e afatit për regjistrimin e kandidateve dhe partive palët kanë rënë dakord, dhe ndryshimet pritet të votohen në këtë seancë.
Nuk ka dakordësi
PS nuk pranon që kërkesa e opozitës që të votohet me dokument biometrik të vendit ku jeton.
Cfare ndodhi seancen e kaluar?
Pas seancës së kaosit, deputetët u kthyen sot në orën 10:00 Kuvend, në seancën plenare me të njëjtin rend dite si të seancës së të enjtes së kaluar, e cila u ndërpre nga Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, pas debatet që degradoi deri në dhunë, ku Flamur Noka tentoi të qëllojë me shishe uji ministrin Taulant Balla, por edhe kryeparlamentaren Elisa Spiropali.