Egnatia ka regjistruar humbjen e parë në këtë edicion të Ligës së Konferencës, pasi u mposht 2-0 në transfertë nga Universitatea Craiova.
Kampionët e Shqipërisë e patën të vështirë të përballonin ritmin e vendasve në pjesën e parë, aty ku u vendos edhe fati i takimit.
Craiova zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-t me Alexandru Cicâldău, ndërsa vetëm tetë minuta më vonë Nicușor Bancu dyfishoi avantazhin, duke i dhënë skuadrës rumune një epërsi të rëndësishme para pushimit.
Në pjesën e dytë, rrogozhinasit tentuan të riktheheshin në lojë dhe krijuan disa mundësi me Fernando dhe Ledjo Beqjan, por pa arritur të mposhtnin portierin kundërshtar.
Gjërat u komplikuan edhe më shumë në minutën e 83-të, kur Eneo Bitri mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Egnatian me dhjetë lojtarë.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Universitatea Craiova që siguroi fitoren 2-0.
Pas tre ndeshjeve në fazën e ligës, Egnatia mbetet me dy pikë, të grumbulluara nga dy barazimet e para, ndërsa tashmë ka edhe një humbje në bilancin e saj europian.
REZULTATI:
Universitatea Craiova 2-0 Egnatia
Cicâldău 24’, Bancu 32’











