Real Madrid ka konfirmuar se Rafael Nadal do t’i bashkohet Bordit Drejtues të klubit, duke nisur një kapitull të ri në lidhjen e tij të gjatë me “Los Blancos”.
Vendimi u mor këtë të mërkurë nga drejtuesit e klubit dhe do t’i nënshtrohet ratifikimit në Asamblenë e Përgjithshme të anëtarëve delegatë, që do të zhvillohet më 21 nëntor.
Nadal ka qenë prej vitesh një tifoz i deklaruar i Real Madridit dhe aktualisht mban edhe statusin e anëtarit të nderit të klubit.
Fituesi i 22 titujve Grand Slam dhe dy medaljeve të arta olimpike do të punojë tashmë më afër Florentino Pérez dhe strukturave drejtuese të Real Madridit.
Klubi e cilësoi përfshirjen e tij në Bord si një moment krenarie, duke vlerësuar jo vetëm karrierën e jashtëzakonshme sportive të Nadal, por edhe karakterin dhe vlerat që ai ka përfaqësuar gjatë gjithë karrierës së tij.
“Për Real Madridin dhe të gjithë tifozët madrilenë është një krenari e madhe që një figurë e përmasave të tij sportive dhe njerëzore të bëhet pjesë e Bordit Drejtues dhe të kontribuojë në të tashmen dhe të ardhmen e klubit”, thuhet në komunikatën e Real Madridit.
Nadal e mbylli karrierën e tij me 92 tituj individualë, 22 Grand Slam, dy medalje të arta olimpike dhe pesë trofe Davis Cup me Spanjën.
Me hyrjen e tij në strukturat drejtuese të klubit, Nadal pritet të ketë një rol të rëndësishëm në të ardhmen afatgjatë të Real Madridit.











