Futbolli spanjoll është tronditur nga një tragjedi e rëndë. CD Tenerife ka konfirmuar ndarjen nga jeta të futbollistit Jesús de Miguel, 30 vjeç, pas goditjes së marrë një ditë më parë gjatë ndeshjes ndaj Andorrës.
Lajmi ka sjellë reagime të shumta nga e gjithë bota e futbollit. Lionel Messi, Kylian Mbappé dhe Pedri ishin mes emrave që shprehën ngushëllimet e tyre për familjen, miqtë dhe klubin e Tenerife.
Edhe UEFA reagoi pas ngjarjes, duke vendosur që në të gjitha ndeshjet e kompeticioneve të saj gjatë kësaj jave të mbahet një minutë heshtje në kujtim të De Miguel.
Federata Spanjolle e Futbollit vendosi ndërkohë të pezullojë ndeshjet e planifikuara për të martën në Copa del Rey dhe Copa de la Reina, ndërsa sindikata e futbollistëve AFE kërkoi një javë zie dhe anulimin e ndeshjeve të LaLiga-s gjatë fundjavës.
Në stadiumin “Heliodoro Rodríguez López”, tifozët e Tenerife u mblodhën për të nderuar kujtimin e futbollistit, duke lënë lule dhe mesazhe ngushëllimi pranë stadiumit.
Ngjarja ka bashkuar klubet, lojtarët dhe drejtuesit e futbollit spanjoll në një valë të madhe solidariteti dhe dhimbjeje.











