Mossos d’Esquadra ka identifikuar dhe proceduar tifozin e Barcelonës që goditi Eduardo Camavingan me shtizën e një flamuri gjatë El Clásicos.
Personi në fjalë është anëtar i klubit katalanas dhe rrezikon një gjobë nga 3 mijë deri në 60 mijë euro, si dhe ndalim hyrjeje në ambiente sportive për një periudhë nga gjashtë muaj deri në dy vite.
Tifozi u identifikua nga Barcelona pas kërkesës së policisë katalanase. Shkelja është klasifikuar si e rëndë sipas Ligjit të Sportit. Duke qenë se nga incidenti nuk pati dëmtime, rasti nuk është konsideruar shkelje shumë e rëndë, kategori që do të sillte masa edhe më të ashpra.
Barcelona e ka kaluar gjithashtu çështjen te komisioni disiplinor i klubit. Deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, tifozit i është ndaluar hyrja në stadiumin e klubit.
Policia vazhdon ndërkohë punën për identifikimin e tifozëve të tjerë që hodhën sende në fushë gjatë ndeshjes dhe që mund të përballen gjithashtu me masa administrative.
Gjatë takimit u nxorën nga stadiumi edhe dy tifozë të Barcelonës për përdorimin e simboleve të ndaluara, si dhe një tifoz i Real Madridit për përshëndetje naziste.











