Cristian Chivu nuk u kursye në kritika ndaj Interit, pavarësisht fitores 2-0 në transfertë ndaj Venezias.
Zikaltërit morën tre pikë të rëndësishme në garën për titull, por paraqitja e skuadrës nuk e kënaqi trajnerin. Dy autogola vendosën sfidën, ndërsa Venezia pa edhe dy gola t’i anuloheshin për pozicion jashtë loje.
“Në pushim do t’i kisha zëvendësuar të gjithë”, deklaroi Chivu pas ndeshjes, duke pranuar se skuadra e tij kishte vuajtur shumë.
Trajneri ndryshoi menjëherë mesfushën në pjesën e dytë, duke larguar Sucic dhe Stankovic për Barella dhe Calhanoglu.
“Ishim shumë të ngadaltë në veprimet tona. Ka ditë kur nuk arrin të shprehesh siç dëshiron. E rëndësishme ishte që qëndruam në lojë. Patëm edhe pak fat. Janë ato ndeshje ku të mungon energjia dhe arrin të marrësh maksimumin me minimumin.”
Chivu veçoi edhe Provedel për rolin vendimtar në ruajtjen e rezultatit.
“Provedel na mbajti në lojë. Në fund dolëm fitues falë eksperiencës, forcës, vendosmërisë dhe edhe pak fatit.”
Tashmë e gjithë vëmendja kalon te derbi ndaj Milanit.
“Do të shkojmë në derbi me 25 pikë. Do të bëjmë gjithçka për të rikuperuar energjinë mendore. Sot duhej ta zgjoja skuadrën në pushim. Do të jemi gati.”
Chivu foli gjithashtu për Carlos Augusto, i cili u rikthye titullar pavarësisht problemeve me stomakun.
“Na dha një ndihmë të madhe. Jemi shumë të kënaqur me të dhe mund ta përdorim në role të ndryshme. Por në përgjithësi mund dhe duhet të përmirësohemi.”
Interi shkon kështu drejt derbit me tre pikë të tjera në klasifikim, por edhe me paralajmërimin e qartë të Chivut: paraqitje të tilla nuk do të mjaftojnë gjithmonë.











