Qeveria ka miratuar sot aktin normativ që ndryshon ligjin për tubimet, duke parashikuar kufizime të përkohshme për protestat në raste të caktuara, si dhe gjoba të reja për shkeljet gjatë tyre. Ndryshimet vijnë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama disa ditë më parë.
Sipas aktit normativ, Policia e Shtetit, me miratimin e prefektit, mund të vendosë kufizime për tubimet deri në 72 orë pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, kur ekziston rreziku i dhunës ose i dëmtimit të rëndë të pronës.
Kufizime deri në 48 orë parashikohen edhe në zonat e mbrojtura. Ndërkohë, policia mund të urdhërojë largimin e personave që ushtrojnë dhunë, kërcënojnë të tjerët ose dëmtojnë pronën në hapësira të mbrojtura, përfshirë transportin publik, aeroportet, institucionet arsimore e shëndetësore dhe objektet e trashëgimisë kulturore.
Një tjetër dispozitë lidhet me përmbajtjet që nxisin dhunë gjatë tubimeve. Në këto raste, policia njofton personin përgjegjës dhe i kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mos përsëritjen e veprimit.
Gjobat e reja për shkeljet gjatë tubimeve
Akti normativ parashikon masa administrative të ndryshme, në varësi të shkeljes së konstatuar:
10 mijë deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrjen në tubime të ndaluara dhe fshehjen e paligjshme të identitetit.
20 mijë deri në 200 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit.
50 mijë deri në 500 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarje nga personat që mbajnë maska.
- 5 mijë lekë për personat që bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin gjatë tubimeve.
Sipas përcaktimeve të aktit, masat synojnë tubimet e dhunshme dhe jo ato paqësore. Vendimet mund të ankimohen, ndërsa parashikohen edhe përjashtime për mbulimin e fytyrës për arsye fetare, shëndetësore ose profesionale.











