Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mund të përfitojë mbrojtje të veçantë nga arrestimi, edhe në rast se akuzohet për vepra penale që lidhen me detyrën e tij. Kjo parashikohet në një projektligj të propozuar nga Banka e Shqipërisë dhe të depozituar në Kuvend nga qeveria, i cili ka ngritur pikëpyetje për ndikimin që mund të ketë në hetimet penale.
Sipas nenit 72, nëse ndaj guvernatorit ngrihen akuza që lidhen me ushtrimin e detyrës, Kuvendi do të ketë rol vendimtar në vlerësimin e kërkesës për arrestimin e tij.
Me fjalë të thjeshta, nëse guvernatori akuzohet për shpërdorim detyre apo korrupsion në ushtrimin e funksionit, arrestimi i tij mund të pengohet nga kjo mbrojtje ligjore. Por, nëse ai kryen një vepër penale që nuk ka lidhje me detyrën, si për shembull një aksident rrugor me pasoja të rënda, kjo mbrojtje nuk do të zbatohej.
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, tashmë zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë, ka mbrojtur propozimin, duke argumentuar se qëllimi nuk është mbrojtja personale e guvernatorit, por garantimi i pavarësisë së institucionit nga presionet politike apo institucionale.
Megjithatë, propozimi ngre një pyetje: A mund të pengojë Kuvendi arrestimin e guvernatorit edhe kur ndaj tij ka dyshime për korrupsion? Megjithatë duhet pritur. Projektligji ende duhet të shqyrtohet dhe miratohet nga Kuvendi përpara se të hyjë në fuqi.











