Kuvendi do të mblidhet të enjten në orën 10:00, në një seancë plenare që zhvillohet pas përplasjeve dhe kaosit të javës së kaluar në Parlament, ndërsa jashtë institucionit politik vijon protesta e studentëve, të cilët prej 15 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në rendin e ditës janë përfshirë disa çështje, mes tyre interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe shqyrtimi i projektligjeve që lidhen me Bankën e Shqipërisë, Këshillin Fiskal dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Deputetët pritet të diskutojnë gjithashtu ndryshime në legjislacionin për biznesin dhe shoqëritë tregtare, si dhe administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Seanca e së enjtes vjen pas tensioneve të forta të javës së kaluar, kur përplasjet mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës detyruan ndërhyrjen e Gardës së Republikës.
Demokratët bllokuan foltoren që në nisje të seancës dhe u përfshinë në debate të ashpra me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Në vijim, kryeparlamentari vendosi që seanca të kalonte drejtpërdrejt në votimin e projektligjeve, por ky vendim nuk i dha fund përplasjeve.
Deputetët e PD-së morën kartonët e kolegëve socialistë, duke penguar procesin e votimit, ndërsa situata u tensionua më tej nga përplasja mes deputetit socialist Ervin Hoxha dhe deputetit demokrat Fadil Kreka.
Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit të gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri.
Seanca e radhës zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, teksa protesta studentore kundër qeverisë së Edi Ramës vijon prej 15 ditësh, me kërkesën për largimin e kryeministrit nga detyra.











