Një 58-vjeçar shqiptar është shpallur fajtor në Britaninë e Madhe, pasi tentoi të transportonte 17 emigrantë nga Franca drejt brigjeve britanike me një jaht privat.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), Eno Gajda u ndalua më 27 gusht nga oficerët e sigurisë kufitare në brigjet e Dorset. Ai kishte lundruar nga Dielette, në Francë, me një jaht rreth 12 metra të gjatë, duke synuar të mbërrinte pranë Portlandit.
Mjeti lundrues u pikas nga autoritetet dhe u shoqërua drejt marinës së Portlandit. Gjatë kontrollit, në bord u gjetën 17 persona, mes tyre 16 burra shqiptarë dhe një i mitur.
Gajda u akuzua për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm. Më 26 tetor, ai pranoi fajësinë në Gjykatën e Kurorës në Bournemouth. Shpallja e dënimit pritet të bëhet më 18 nëntor.
Andy Tickner, drejtues në NCA, deklaroi se transportimi i emigrantëve përmes një prej korridoreve detare më të ngarkuara në botë përbënte rrezik serioz për jetën e personave në bord.
Ndërkohë, Charlie Eastaugh, drejtor për çështjet detare dhe mjetet e vogla lundruese në Komandën e Sigurisë Kufitare, theksoi se institucionet britanike do të vijojnë bashkëpunimin për të goditur rrjetet e kontrabandës së emigrantëve.
NCA bën me dije se lufta kundër krimit të organizuar të lidhur me emigracionin mbetet një nga përparësitë e saj, ndërsa aktualisht po zhvillohen më shumë se 100 hetime ndaj individëve dhe rrjeteve të dyshuara për përfshirje në këtë aktivitet.











