Tottenham ka triumfuar 2-0 ndaj Chelseat në “Stamford Bridge”, duke siguruar fitoren e dytë radhazi në Premier League dhe duke thelluar problemet e skuadrës së Xabi Alonsos.
Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, me Mike Penders që kaloi nga heroi në protagonist negativ për Chelsean. Portieri i ri belg, i cili kishte bërë disa pritje të rëndësishme, gaboi në minutën e 77-të gjatë një daljeje në goditje këndi dhe e dërgoi topin në portën e tij për avantazhin e Tottenhamit.
Situata u komplikua edhe më shumë për vendasit pak minuta më vonë, kur Cole Palmer mori kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Conor Gallagher dhe e la Chelsean me 10 lojtarë.
Tottenham përfitoi dhe vulosi gjithçka në minutën e 87-të me Mathys Tel. Francezi nisi një aksion të gjatë nga gjysmëfusha e tij dhe e përfundoi me një goditje të fuqishme në cep për 0-2.
Chelsea kishte hyrë në ndeshje edhe pa João Pedron, i cili u tërhoq në momentet e fundit për shkak të një problemi fizik të pësuar në stërvitje.
Tottenham regjistron kështu vetëm fitoren e dytë në “Stamford Bridge” në epokën e Premier League, ndërsa Chelsea pëson humbjen e tretë në kampionat dhe të parën në shtëpi këtë sezon.











