Bayern Munich dhe Arsenal janë ndarë në barazim 2-2 në “Allianz Arena”, në një sfidë ku Harry Kane ishte sërish protagonist, por Declan Rice i mohoi bavarezëve fitoren në fund.
Arsenal kaloi i pari në avantazh me Eze, i cili përfitoi nga një asist i Odegaard dhe realizoi me një goditje të bukur me të majtën. Goli u konfirmua nga VAR pas një sinjalizimi fillestar për pozicion jashtë loje.
Bayern reagoi falë Harry Kane. Sulmuesi anglez dha një pasim perfekt për Alphonso Davies, i cili doli i vetëm përballë Raya dhe barazoi rezultatin.
Në pjesën e dytë, bavarezët rritën presionin dhe Kane u bë sërish protagonist. Pas një prekjeje me dorë nga Timber, arbitri akordoi penallti dhe anglezi realizoi për 2-1.
Fitorja dukej pranë për Bayern, por Arsenal nuk u dorëzua. Në minutat e fundit, Declan Rice shënoi me një goditje të fuqishme dhe fiksoi rezultatin përfundimtar në 2-2.
Bayern ndjeu mungesat e rëndësishme të Joshua Kimmich dhe Michael Olise, ndërsa Arsenal humbi Saka pas vetëm dhjetë minutash lojë.
Pas këtij barazimi, Arsenal shkon në kuotën e shtatë pikëve, ndërsa Bayern mbetet me pesë pikë pas tri ndeshjeve dhe tashmë e pret transferta ndaj Atletico Madridit.











