Juanjo Brau, fizioterapisti që punoi për 25 vite te Barcelona dhe ishte një nga njerëzit më të afërt me Lionel Messin gjatë periudhës së tij në klub, ka analizuar menaxhimin fizik të Lamine Yamal dhe ka veçuar një gabim që, sipas tij, Hansi Flick duhet ta shmangë.
Yamal po luan pothuajse çdo minutë me Barcelonën, ndërsa roli i tij në skuadër është rritur ndjeshëm. Pikërisht për këtë arsye, Brau mendon se menaxhimi i pushimit të tij duhet të bëhet me shumë kujdes.
“Ka një çështje që shkon përtej statistikave: mënyra se si lojtari e menaxhon pushimin. Këta futbollistë stërviten duke luajtur. Një ndeshje mund të konsumojë praktikisht punën e tre ditëve stërvitore”, shpjegoi ai.
Brau e krahasoi situatën e Yamal me atë që përjetonte Messi, duke theksuar se lojtarë të tillë dinë të kursejnë energjinë gjatë ndeshjeve dhe të shpërthejnë në momentet vendimtare.
Ai kujtoi edhe një episod me Messin përpara një sfide të Champions League ndaj PSG-së.
“I thashë Leos të vraponte vetëm kur duhej, jo në çdo moment, sepse kishte disa shqetësime fizike. Futbolli nuk matet vetëm me kilometra. Intensiteti i lartë dhe sprintet janë ato që kushtojnë më shumë.”
Por kritika kryesore e Braut lidhet me mënyrën se si trajnerët vendosin për zëvendësimet.
“Është gabim t’i pyesësh lojtarët nëse duan të dalin nga fusha, sepse një futbollist nuk do të dojë kurrë të zëvendësohet. Kjo duhet të diskutohet dhe planifikohet më herët.”
Sipas tij, problemi nuk është domosdoshmërisht në muajin tetor, por në atë që mund të ndodhë në pjesën vendimtare të sezonit.
“Lojtarë të tillë duhet të jenë në maksimum në mars, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Për këtë shërbejnë rotacionet.”
Mesazhi i ish-fizioterapistit të Barcelonës është i qartë: menaxhimi i minutave të Yamal tani mund të jetë vendimtar për gjendjen e tij në momentin kur sezoni hyn në fazën më të rëndësishme.











