Real Madridi ka publikuar një komunikatë zyrtare ku kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Javier Tebas nga posti i presidentit të LaLiga-s dhe ai i zëvendëspresidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit.
Reagimi i klubit madrilen erdhi pas një postimi të Tebas në rrjetin social X, ku ai shkroi se “metoda e Real Madrid TV të kujton mekanizmat e propagandës së Goebbels”.
Në komunikatën e tij, Real Madridi e cilëson këtë krahasim “absolutisht të patolerueshëm dhe jashtëzakonisht të rëndë”, duke theksuar se referimi ndaj metodave të propagandës së regjimit nazist është ofensiv dhe i papërshtatshëm për një drejtues të nivelit të lartë në futbollin spanjoll.
Klubi madrilen pretendon se deklaratat e Tebas janë pjesë e një serie të vazhdueshme sulmesh ndaj Real Madridit, presidentit të tij dhe medias së klubit.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit lidhet edhe me çështjen “Negreira”. Real Madridi thekson se ka kërkuar ndërhyrjen e UEFA-s për të sqaruar plotësisht pagesat e bëra për vite nga Barcelona ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave.
Klubi kërkon gjithashtu një reformim të thellë të sistemit të arbitrimit dhe strukturave drejtuese, mbikëqyrëse dhe disiplinore të futbollit spanjoll.
Sipas Real Madridit, sjellja e përsëritur e Tebas tregon mungesë neutraliteti, respekti dhe paanshmërie, të cilat klubi i konsideron të papajtueshme me postet që ai mban.
“Për të gjitha këto arsye, Real Madrid kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershme si president i LaLiga-s dhe zëvendëspresident i Federatës Spanjolle të Futbollit”, thuhet në fund të komunikatës.
Përplasja vjen në një moment të tensionuar edhe për çështjen Vinicius. Komisioni Disiplinor vendosi ta pezullojë brazilianin me katër ndeshje, ndërsa edhe Komisioni i Apelit la në fuqi dënimin. Real Madridi tashmë synon ta çojë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.











