Mbrëmje për t’u harruar për Interin në Champions League. Zikaltrit janë mundur 4-3 nga Club Brugge në “San Siro”, me Nicolò Tresoldin që u kthye në protagonist absolut duke realizuar një tripletë.
Sulmuesi 22-vjeçar zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë, pas ndërhyrjes së Çalhanoğlu ndaj Forbs brenda zonës. Interi reagoi dhe arriti barazimin me Lautaro Martinez, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Zielinski, Thuram dhe Dimarco.
Ndeshja ndryshoi plotësisht në pjesën e dytë. Tresoldi shfrytëzoi fillimisht pasigurinë mes Akanjit dhe portierit Martinez për të rikthyer belgët në avantazh, ndërsa më pas kompletoi tripletën e tij duke goditur sërish nga brenda zonës.
Interi nuk u dorëzua dhe Lautaro realizoi golin e tij të dytë personal, duke mbajtur gjallë shpresat e skuadrës së Cristian Chivut.
Por goditja vendimtare erdhi nga Romeo Vermant, i cili përfitoi nga hapësirat dhe mposhti Martinez me një parabël për golin e katërt të Club Brugge. Në minutën e 93-të, Bonny shënoi një gol të bukur për 4-3, por ishte tepër vonë për të shmangur humbjen.
Interi pati mundësi të shumta gjatë sfidës. Çalhanoğlu goditi traversën, ndërsa raste të mira patën edhe Dimarco dhe Lautaro, por gabimet në mbrojtje rezultuan vendimtare.
Club Brugge u tregua shumë më cinik dhe shfrytëzoi pothuajse çdo pasiguri të vendasve, duke marrë një fitore të madhe në Milano.
Për Interin vazhdon momenti i errët në Champions League. Skuadra e Chivut mbetet pa pikë dhe regjistron humbjen e katërt radhazi në kompeticion, si dhe të shtatën në tetë ndeshjet e fundit.











