Tensionet mes Real Madridit dhe arbitrimit spanjoll janë rritur ndjeshëm pas ndeshjes ndaj Villarrealit, ku Vinicius u përjashtua me karton të kuq dhe një gol i tij u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.
Real Madrid TV reagoi ashpër pas ndeshjes, duke rikthyer disa episode të mëparshme që klubi i konsideron si vendime të pabarabarta në dëm të madrilenëve.
Në sfidën ndaj Villarrealit, Real Madridi mori pesë kartonë të verdhë për lojtarët, ndërsa Mourinho dhe Chendo u ndëshkuan gjithashtu. Trajneri i portierëve, Nuno Santos, mori karton të kuq. Në total, madrilenët morën nëntë kartonë mes lojtarëve dhe stafit, ndërkohë që kryen vetëm tetë faulle.
Momenti që ndezi më shumë polemika ishte ai i Vinicius. Gjatë aksionit që solli golin e tij, braziliani tërhoqi nga flokët Nathan Saliban. Episodi nuk u pa ose nuk u konsiderua i dënueshëm nga arbitri në fushë, por VAR-i ndërhyri dhe goli u anulua, ndërsa Vinicius u përjashtua.
Real Madrid TV solli në vëmendje raste të ngjashme nga e kaluara, përfshirë një episod të vitit 2020 kur Laguardia tërhoqi nga flokët Marcelon pa u ndëshkuar, si dhe një rast tjetër në sezonin 2024-25 kur Dani Rodríguez mori vetëm karton të verdhë për një veprim të ngjashëm.
Një tjetër pikë e debatit lidhet me Muñiz Ruiz, i cili ishte në VAR në ndeshjen Real Madrid-Villarreal dhe ishte përfshirë gjithashtu në episode të tjera të diskutueshme që madrilenët i kanë konsideruar si vendime të pabarabarta.
Atmosfera në “Santiago Bernabéu” u bë shumë e tensionuar. Tifozët fishkëllyen ekipin e arbitrave dhe nga tribunat u dëgjuan thirrje kundër Federatës dhe referenca ndaj çështjes “Negreira”.
Pushimi 19-ditor i La Liga-s nuk ka ulur aspak tensionet. Përkundrazi, kartoni i kuq i Vinicius dhe anulimi i golit kanë rihapur një debat që prej kohësh shoqëron marrëdhënien mes Real Madridit dhe arbitrimit spanjoll.











