TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka dënuar sulmet e Huthëve kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmin vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar Mbreti Khalid në Riad.
Në reagimin e tij, Rama shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe popullin e saj, ndërsa u përcolli ngushëllimet familjeve të viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, duke paralajmëruar se akte të tilla kërcënojnë paqen rajonale dhe sigurinë e rrugëve jetike të transportit ndërkombëtar.
Rama kërkoi që Huthët dhe mbështetësit e tyre në Teheran të mbajnë përgjegjësi, ndërsa bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të reagojë me një zë të vetëm për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve.
Reagimi i kryeministrit Rama:
Shqipëria dënon me forcën më të madhe sulmet e Huthëve kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmin vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar Mbreti Khalid në Riad.
Qëndrojmë vendosmërisht në krah të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe popullit të saj. U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe u urojmë të gjithë të plagosurve shërim të shpejtë.
Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Këto akte kërcënojnë paqen rajonale dhe sigurinë e rrugëve jetike të transportit ndërkombëtar.
Huthët dhe sponsorët e tyre të mirënjohur të terrorit në Teheran duhet të mbajnë përgjegjësi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të flasë me një zë të vetëm dhe të qartë: këto sulme duhet të ndalen menjëherë.











