Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i konfirmuar i murtajës pas vdekjes së një punonjëseje laboratori në Rusi, ndërsa shkaku i pneumonisë që i mori jetën mbetet ende i panjohur.
Sipas deklaratës së publikuar të shtunën, autoritetet ruse kanë raportuar se analizat e kryera te viktima dhe personat që kishin pasur kontakt me të rezultuan negative për patogjenët e rrezikshëm të testuar. Gjithashtu, personat e kontaktit nuk kanë shfaqur simptoma dhe nuk janë identifikuar raste të tjera të lidhura me ngjarjen me pneumoni të rëndë.
“OBSH-ja nuk ka identifikuar prova për transmetim të vazhdueshëm të lidhur me këtë ngjarje”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se paqartësia kryesore mbetet mungesa e një diagnoze të konfirmuar për punonjësen e ndjerë.
Vdekja e laborantes shkaktoi alarm shëndetësor në Rusi
Punonjësja, e identifikuar nga mediat ruse si Darya Shipilova, 28 vjeçe, punonte në Institutin Kërkimor Kundër Murtajës të Irkutskut, në Siberinë Lindore. Ajo u sëmur dhe vdiq më 2 tetor, në rrethana që nuk janë bërë të ditura plotësisht.
Rasti shkaktoi shqetësim të madh, pasi autoritetet vendosën rreth 200 persona në karantinë, ndërsa në rrjetet sociale u përhapën spekulime për një shpërthim të mundshëm të murtajës pneumonike, një formë veçanërisht e rrezikshme e sëmundjes që prek mushkëritë.
Guvernatori i rajonit fqinj të Buryatisë deklaroi se gruaja mund të kishte vdekur nga murtaja, por autoritetet shëndetësore ruse thanë se diagnoza e saj ishte pneumoni me shkak të panjohur.
Sipas Rospotrebnadzor-it, organit rus të mbikëqyrjes shëndetësore, analizat pas vdekjes nuk zbuluan praninë e bakterit të murtajës. Autoritetet pohuan gjithashtu se punonjësja ishte e vaksinuar dhe se në trupin e saj nuk u gjetën mikroorganizma të lidhur me punën që kryente.
Karantina dhe kërkesat për transparencë
Autoritetet ruse njoftuan se kontrollet shëndetësore për të gjithë personat që kishin pasur kontakt me laboranten kishin përfunduar. Një zyrtar lokal bëri të ditur më 6 tetor se rreth 60 përqind e personave të vendosur në karantinë tashmë ishin lënë të lirë.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i kërkoi Rusisë sqarime pas raportimeve mediatike për një punonjës të dytë me pneumoni me shkak të papërcaktuar. Moska i hodhi poshtë këto raportime, duke i cilësuar si dezinformim. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar transparencë nga autoritetet ruse lidhur me rastin.
Për momentin, OBSH-ja thekson se nuk ka prova për transmetim të vazhdueshëm të sëmundjes, por shkaku i vdekjes mbetet i pazbardhur. Ekspertët shëndetësorë vazhdojnë të tregojnë kujdes ndaj rasteve të pneumonisë me origjinë të panjohur, veçanërisht pas pandemisë COVID-19, e cila nisi me një grup rastesh të rënda të sëmundjes respiratore në Kinë.











