Për herë të parë, Elbasani dhe Cërriku marrin pjesë në edicionin e tretë të aktivitetit të promovuar nga European Muslims League. Sporti, dialogu ndërfetar dhe solidariteti ndërkombëtar në qendër të veprimtarisë së 10 tetorit.
GJENOVA, ITALI, 8 tetor 2026 – Rreth 40 bashki dhe pesë rajone italiane, së bashku me institucione dhe organizata ndërkombëtare, mbështesin edicionin e tretë të “Un Calcio alla Guerra – Kick War Away”, që do të zhvillohet më 10 tetor në Gjenova. Nisma, e promovuar nga European Muslims League (EML), synon ndërgjegjësimin për paqen dhe forcimin e dialogut ndërmjet komuniteteve kombëtare, kulturore dhe fetare, në një periudhë tensionesh dhe konfliktesh ndërkombëtare.
Veprimtaria organizohet nën Patronazhin e Lartë të World Organization of States – International Parliament for Safety and Peace (WOS-IPSP) dhe, sipas organizatorëve, ka marrë edhe një letër mbështetjeje nga Këshilli i Evropës.
Për herë të parë, Elbasani dhe Cërriku do të përfaqësohen në këtë aktivitet ndërkombëtar, krahas komunitetit shqiptar në Itali dhe pjesëmarrësve nga vende të ndryshme, duke kontribuar në promovimin e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.
Dr. Arben Ramkaj, Zëvendëspresident i European Muslims League, vlerëson se nisma merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e zhvillimeve aktuale ndërkombëtare.
“Bota po kalon një nga periudhat më kritike për paqen dhe sigurinë. Lufta Rusi–Ukrainë, konfliktet në Bririn e Afrikës, përplasjet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, si dhe rivaliteti për kontrollin e Detit të Kuq, dëshmojnë rrezikshmërinë e përshkallëzimit të konflikteve. Në këtë realitet, Italia dhe European Muslims League po japin një kontribut të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar për domosdoshmërinë e dialogut dhe paqes. Ne qëndrojmë përkrah komunitetit ndërkombëtar në këto ditë të vështira për njerëzimin, duke besuar se bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë janë rruga drejt një të ardhmeje më të sigurt”, shprehet Dr. Ramkaj.
Programi i 10 tetorit do të nisë me një turne ndërkombëtar futbolli në Qendrën Sportive San Desiderio, ku do të marrë pjesë edhe një ekip i Policisë Lokale të Gjenovës. Në orën 17:00 do të organizohet Marshi për Paqen, me pjesëmarrjen e komuniteteve dhe përfaqësuesve institucionalë, ku pritet të jetë e pranishme edhe kryetarja e Bashkisë së Gjenovës, Silvia Salis. Në orën 18:00, në Teatrin Rina e Gilberto Govi, do të zhvillohet ceremonia institucionale dhe ndërkulturore.
Alfredo Maiolese, President i European Muslims League dhe Ambassador at Large i WOS-IPSP, thekson se paqja duhet të shndërrohet nga një koncept abstrakt në një përvojë konkrete mes njerëzve.
“Kur një polic, një i ri shqiptar, një maroken apo një italian hyjnë në të njëjtën fushë futbolli, ata nuk përfaqësojnë më botë të ndara, por bëhen njerëz që takohen dhe respektojnë njëri-tjetrin. Përpara se t’u kërkojmë shteteve të ndërtojnë paqen, duhet të mësojmë ta ndërtojmë atë mes njerëzve”, shprehet Maiolese, duke vlerësuar veçanërisht pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar.
Edicioni i tretë i “Kick War Away” synon të përcjellë nga Gjenova një mesazh ndërkombëtar solidariteti, duke bashkuar institucione, qytetarë dhe përfaqësues të traditave të ndryshme fetare rreth një ideje të përbashkët: sporti dhe dialogu mund të kapërcejnë dallimet dhe të ndërtojnë ura paqeje ndërmjet njerëzve.











