Një skandal i rëndë spiunazhi ka tronditur Gjermaninë, pasi autoritetet kanë arrestuar ish-kreun e shërbimit të inteligjencës së jashtme, August Hanning, nën dyshimin për spiunazh, tradhti dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore.
Hanning, 80 vjeç, drejtoi Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND) nga viti 1998 deri në vitin 2005. Prokuroria Federale gjermane e dyshon për “spiunazh në dëm të shtetit”, përvetësim të sekreteve shtetërore, tentativë për tradhti dhe veprimtari në interes të një shërbimi të huaj.
Bashkë me të është arrestuar edhe një ish-bashkëpunëtor i BND-së, i identifikuar si Manfred D., i cili dyshohet se i ka siguruar Hanningut informacione konfidenciale edhe shumë vite pasi ai ishte larguar nga drejtimi i shërbimit.
Sipas hetuesve, që prej vitit 2010 Manfred D. i ka transmetuar Hanningut rreth 2 mijë dokumente, shumë prej tyre të klasifikuara dhe të destinuara vetëm për përdorim të brendshëm nga inteligjenca gjermane. Hanning dyshohet se i ka përdorur këto materiale në aktivitetin e tij privat të konsulencës.
Një nga dokumentet e klasifikuara dyshohet se është përdorur nga Hanning për të përgatitur një analizë për një oficer të një shërbimi të huaj të inteligjencës. Autoritetet gjermane nuk kanë bërë të ditur se për cilin shtet bëhet fjalë dhe po hetojnë nëse informacioni ka përfunduar te marrësi i synuar.
Hetimi ka ngritur dyshime për një prej rasteve më serioze të spiunazhit në historinë moderne të Gjermanisë. Autoritetet kanë kontrolluar edhe banesat dhe ambientet e dy të dyshuarve pas arrestimit.
Hetimet vijojnë, ndërsa deri tani nuk është bërë publike fuqia e huaj për të cilën dyshohet se mund të kenë përfunduar informacionet sekrete.











