Lionel Messi i jep fund sot aventurës së tij me kombëtaren e Argjentinës, duke mbyllur një rrugëtim të jashtëzakonshëm me 207 paraqitje dhe 105 gola. Një histori që nisi me lot, vazhdoi me zhgënjime të mëdha dhe përfundoi me lavdinë më të madhe të mundshme.
Debutimi i Messit me Argjentinën në vitin 2005 ishte larg ëndrrës së tij. Vetëm pak minuta pas hyrjes në fushë ndaj Hungarisë, ai u ndëshkua me karton të kuq dhe u largua mes lotësh.
Vitet që pasuan sollën zhgënjime të njëpasnjëshme. Eliminimi nga Gjermania në Botërorin 2006, humbja e finales së Copa América 2007 ndaj Brazilit dhe dështimi në Botërorin 2010 shtuan presionin mbi të.
Në vitin 2011 kritikat arritën një tjetër nivel, pas eliminimit të Argjentinës nga Uruguay në Copa América. Messi u etiketua madje si “zemërftohtë”, ndërsa marrëdhënia e tij me tifozët kaloi një nga periudhat më të vështira.

Botërori i vitit 2014 dukej se do të ishte momenti i madh, por humbja në finale ndaj Gjermanisë e la sërish pa trofe. Më pas erdhën edhe dy finale të humbura radhazi në Copa América, në vitet 2015 dhe 2016.
Pas humbjes së finales së vitit 2016 ndaj Kilit, Messi shpalli largimin nga kombëtarja. “Ka marrë fund”, ishte deklarata që tronditi Argjentinën. Megjithatë, ai u rikthye dhe vijoi ndjekjen e ëndrrës së tij.

Kthesa e madhe erdhi në vitin 2021. Me Lionel Scaloni në stol, Argjentina fitoi Copa América në “Maracanã” ndaj Brazilit dhe Messi ngriti më në fund trofeun e parë të madh me kombëtaren. Më pas erdhi edhe Finalissima ndaj Italisë.
Në vitin 2022, Messi realizoi ëndrrën më të madhe të karrierës. Argjentina u shpall kampione bote dhe figura e tij në vend ndryshoi përgjithmonë. Nga lojtari i kritikuar për mungesë lidershipi, ai u shndërrua në simbolin absolut të kombëtares.
Lavdia vazhdoi edhe në vitin 2024 me një tjetër Copa América, ndërsa Botërori i vitit 2026 solli një tjetër kapitull legjendar. Në moshën 39-vjeçare, Messi udhëhoqi Argjentinën deri në kohën shtesë të finales ndaj Spanjës, duke e mbyllur turneun me një tjetër paraqitje historike.
Sot rrugëtimi përfundon. Nga kartoni i kuq në debutim, te finalet e humbura, tërheqja, rikthimi dhe triumfet, historia e Messit me Argjentinën mbetet një nga më të jashtëzakonshmet në futboll.











