Shqipëria ka pësuar humbjen e parë në këtë edicion të Nations League, duke u mposhtur 2-1 nga Finlanda në Helsinki, në një ndeshje që nisi në mënyrën më të mirë për kuqezinjtë, por ndryshoi tërësisht pas kartonit të kuq të Etrit Berishës.
Skuadra e Maranit kaloi në avantazh që në minutën e 4-t. Kristjan Asllani krosoi nga këndorja, ndërsa Rey Manaj u tregua i saktë me kokë për 0-1.
Gjithçka u komplikua në minutën e 22-të, kur Berisha ndërhyri gabimisht jashtë zonës dhe u ndëshkua direkt me karton të kuq. Shqipëria mbeti me 10 lojtarë, ndërsa Sherri hyri në portë në vend të Hoxhës.
Finlanda përfitoi shpejt nga epërsia numerike. Në minutën e 26-të, Leo Walta realizoi nga goditja e dënimit për 1-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Kuqezinjtë tentuan të rezistonin edhe në pjesën e dytë dhe patën disa mundësi, por në minutën e 71-të Walta goditi sërish. Një tjetër goditje dënimi e ekzekutuar prej tij përfundoi në rrjetë, duke kompletuar përmbysjen e Finlandës.
Shqipëria kërkoi barazimin në minutat e fundit, ndërsa Uzuni pretendoi edhe për penallti, por pas ndërhyrjes së VAR-it vendimi nuk ndryshoi.
Sfida u mbyll 2-1 për Finlandën, e cila ngjitet në vendin e parë të Grupit C1 me 7 pikë, ndërsa Shqipëria zbret në vendin e dytë me 6 pikë.











