Esteban Lepaul është një nga surprizat më të mëdha të Zinedine Zidane në kombëtaren e Francës. Vetëm pak vite më parë ai luante në kategoritë e ulëta, ndërsa sot është pjesë e “Les Bleus” pas një ngjitjeje të jashtëzakonshme.
Karriera e sulmuesit të Rennes ka kaluar nëpër momente shumë të vështira. Në vitin 2020, Olympique Lyonnais e njoftoi se nuk ishte më pjesë e planeve të klubit. Në të njëjtën periudhë, babai i tij Fabrice Lepaul pësoi një aksident të rëndë dhe humbi jetën, një ngjarje që e goditi fort lojtarin.
Lepaul nuk u dorëzua. Ai nisi sërish nga kategoritë e ulëta me Épinal, më pas kaloi te Orleans dhe Angers, me të cilin siguroi ngjitjen në Ligue 1.
Pas nëntë golave në sezonin e tij të parë në elitën franceze, Rennes pagoi 13.5 milionë euro për ta transferuar. Investimi rezultoi shumë i suksesshëm, pasi Lepaul regjistroi 21 gola dhe pesë asistime, duke e mbyllur sezonin si golashënuesi më i mirë i Ligue 1.
Pavarësisht formës së tij, Didier Deschamps nuk e përfshiu në planet e Francës, por gjithçka ndryshoi me ardhjen e Zidane. Trajneri i ri e grumbulloi menjëherë, ndërsa Lepaul debutoi ndaj Turqisë dhe më pas luajti titullar kundër Belgjikës.
Tashmë sulmuesi synon të fitojë gjithnjë e më shumë hapësirë te Franca, ndërsa sfida e radhës ndaj Italisë mund t’i japë një tjetër mundësi për të treguar vlerat e tij.











