Milani dhe Interi po përshpejtojnë punën për stadiumin e ri që do të ndërtohet pranë “San Siros”, ndërsa projekti pritet të prezantohet mes fundit të tetorit dhe fillimit të nëntorit.
Stadiumi i projektuar nga “Foster+Partners” dhe “Manica” do të ketë 71,500 vende, prej të cilave mbi 13 mijë do të jenë “premium”. Objektivi është që impianti të përfundojë në vitin 2031, në kohë për Kampionatin Europian 2032.
Punimet kryesore parashikohet të nisin pas përfundimit të sezonit, në verën e vitit 2027. Ndërkohë, Interi dhe Milani do të vazhdojnë t’i luajnë ndeshjet në “San Siro” gjatë ndërtimit të stadiumit të ri.
Kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, u ka kërkuar klubeve të respektojnë afatet, duke theksuar rëndësinë që qyteti të jetë gati për Euro 2032.
Sipas përllogaritjeve të klubeve, stadiumi i ri pritet të ketë një vlerë prej rreth 2.15 miliardë eurosh.










