Spanja e ka nisur me fitore rrugëtimin në Nations League, duke mposhtur 3-2 Anglinë në “Wembley”. Kampionët e botës kaluan të parët në avantazh, u përmbysën para pushimit, por reaguan në pjesën e dytë falë Alejandro Baenas dhe Mikel Oyarzabal.
Skuadra e Luis de la Fuentes e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte. Vetëm në minutën e dytë, Lamine Yamal shfrytëzoi një gabim të Guéhit dhe realizoi me një goditje të ulët për 0-1. Pak minuta më vonë, Ferran Torres e dërgoi sërish topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Spanja nuk i shfrytëzoi mundësitë e krijuara dhe Anglia reagoi. Gordon barazoi pas një kundërsulmi të nisur nga Bellingham, ndërsa pak para pushimit vendasit kompletuan përmbysjen pas një aksioni ku u përfshinë Harry Kane dhe Cucurella.
Në fillimin e pjesës së dytë, Anglia pati mundësinë të shkëputej më tej. Pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri akordoi penallti për një ndërhyrje të Rodrit ndaj Bellingham, por Kane goditi traversën dhe humbi mundësinë për të shënuar.
Luis de la Fuente reagoi nga stoli duke aktivizuar Baenan dhe Oyarzabalin. Ndryshimet dhanë menjëherë rezultat, pasi Baena realizoi një gol të bukur nga jashtë zonës në minutën e 60-të për 2-2.
Më pas ishte radha e Oyarzabalit. Laporte gjeti Baenan, ky i fundit asistoi sulmuesin brenda zonës dhe Oyarzabal e kaloi me qetësi topin mbi portierin Trafford për golin e fitores.
Spanja e nis kështu me tre pikë Nations League dhe feston ndeshjen e parë pas triumfit në Kupën e Botës me një fitore të madhe në “Wembley”.











