Manchester United po shqyrton mundësinë e ndjekjes ligjore nëse gjen prova se ndonjë klub ka kontaktuar në mënyrë të paligjshme JJ Gabriel, talentin 16-vjeçar që konfirmoi largimin nga klubi anglez të martën.
Sipas The Times, United po heton nëse lojtari është kontaktuar gjatë verës në kundërshtim me rregullat e FIFA-s për futbollistët e mitur. Dyshimet lidhen me Real Madridin, që pritet ta transferojë Gabriel në javët e ardhshme.
Situata ka shkaktuar pakënaqësi në klubin anglez edhe për mënyrën se si erdhi largimi. Gabriel dhe familja e tij vendosën të ndërprisnin bashkëpunimin pas gjashtë vitesh në akademinë e United, ndërsa lojtari ndaloi edhe stërvitjet në Carrington.
Largimi i tij erdhi vetëm pak ditë pasi kishte shënuar tripletë në Youth League dhe po konkurronte për një vend në skuadër për ndeshjen e League Cup ndaj Brighton.
Një tjetër problem për United është aspekti financiar. Nëse transferimi te Real Madridi finalizohet, klubi anglez pritet të përfitojë vetëm rreth 300 mijë paund, afërsisht 350 mijë euro, si kompensim për formimin e lojtarit.
Manchester United pretendon gjithashtu se nuk ka mundur të kontaktojë familjen e 16-vjeçarit që prej muajit shtator.
JJ Gabriel largohet nga United pa bërë debutimin zyrtar me ekipin e parë, edhe pse kishte stërvitur me skuadrën kryesore dhe kishte marrë disa minuta në një miqësore gjatë verës.











